Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) lidhur me procesin e votimit në Komunën e Junikut gjatë zgjedhjeve komunale të 12 tetorit.
AAK-ja kishte paraqitur ankesë kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve, pastrimin e listave të votuesve dhe rivotim në Junik. Partia pretendonte se një numër i konsiderueshëm votuesish ishin regjistruar si banorë të Junikut në tre muajt e fundit para zgjedhjeve, duke ndikuar, sipas saj, në rezultatin përfundimtar.
PZAP-ja kishte refuzuar më herët ankesën e AAK-së si të pabazuar, ndërsa pas këtij vendimi, subjekti politik e kishte dërguar rastin në Gjykatën Supreme.
Pas këtij vendimi të PZAP ka reaguar kanadidati i LDK-së për këtë komunë, Ruzhdi Shehu i cili tha se:
Të dashur junikas,
Që nga 12 tetori deri më sot, AAK dega në Junik kanë zhvilluar një fushatë propaganduese të ulët, me ç’rast ata kanë tentuar të arsyetojnë dështimin e tyre në rundin e parë të zgjedhjeve.
Siç dihet, ata kanë bërë ankesë sa i përket listës së votuesve në Junik. Kjo ankesë e tyre është dy herë në PZAP. Ndërsa sot edhe Gjykata Supreme si instanca më e lartë gjyqësore në shtetin e Kosovës, ka publikuar vendimin AA.nr.100/2025 përmes të cilit po ashtu e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit AAK dega në Junik. Me fjalë të tjera, pretendimet e tyre ankimore janë refuzuar në të gjitha instancat kompetente gjyqësore.
Propaganda e tyre sot morri përgjigjen e duhur gjyqësore. Ata nuk e dëshirojnë demokracinë dhe janë kundër ligjshmërisë. Prandaj kanë humbur jo vetëm zgjedhjet por edhe betejat gjyqësore.
Por duke i njohur taktikat e tyre të bërjes së politikës, nuk quditemi nëse ata do të gatuajnë edhe ndonjë propagandë tjetër nesër, duke qenë se kjo puna e mbiemrave duke përmendur vajzat dhe djemtë e junikasve nuk ju zgjati shumë.
Megjithatë, përgjigja e junikasve do të jetë më 9 nëntor në kutiat e votimit, pa çka se shumë përgjigje tjera do të marrin edhe nga organet kompetente ligjore. Deri atëherë kërkojmë nga të gjithë qytetarët e Junikut që të ruajnë qetësinë por edhe besimin e plotë në institucionet tona të drejtësisë.
Juniku është i junikasve. Asnjë propagandë nuk mund të rikthejë Junikun në vitet 2009-2021, periudha 12 vjeçare kur Juniku ka ngecur aq shumë sepse ka qenë nën kthetrat e atyrë që as nuk janë të Junikut dhe as nuk shqetësohen për nevojat e Junikut. Kjo epokë ka përfunduar përgjithmonë”.