Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vlerësuar si të bazuar ankesën e Listës Serbe, rezultatet e të cilës nuk u shpallë nga KQZ.
Kjo ambasadë ka thënë se ky vendim riafirmon të drejtën e komuniteteve jo-shumicë të Kosovës, bashkë me të gjitha subjektet e tjera politike, për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik, siç e garanton Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës.
Ata gjithashtu kanë shtuar se presin që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime, të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur, shkruan lajmi.net.
“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë. Ne i inkurajojmë të gjitha institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore. Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit midis të gjitha komuniteteve”, ka shkruar kjo ambasadë në rrjetin social Facebook.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar sot ankesën e Listës Serbe lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos përfshirë listën e kandidatëve të këtij subjekti në shpalljen e rezultateve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
PZAP tha se vendimi i 31 janarit i KQZ-së është “i pajustifikuar” dhe në kundërshtim “me dispozitat ligjore”.
Sipas vendimit, PZAP tha se shpallja e rezultatit përfundimtar bëhet pas përfundimit të numërimit dhe rinumërimit për të gjitha subjektet politike dhe duhet t’i përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore “pa përjashtim”.
“Çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor. Andaj ky vendim është në kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu ne kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias”, u tha në vendimin e PZAP-së të publikuar më 3 shkurt.
