Dyzet persona në Francë kanë vdekur – vdekje të cilat janë të lidhura me valën e të nxehtit që nga e enjtja e kaluar, ka thënë kryeministri Sebastien Lecornu, ndërsa temperaturat kanë arritur nivele rekord në disa qytete të mëdha dhe vala e të nxehtit po arrin kulmin në disa vende europiane, shkruan BBC.
“Nuk është diçka që duhet marrë lehtë, të shkosh për not në zona pa mbikëqyrje gjatë një vale të të nxehtit”, tha ministrja franceze e Sportit dhe Rinisë, Marina Ferrari, për radion franceze.
Franca, së bashku me Spanjën dhe Italinë, janë goditur më rëndë nga vala e të nxehtit deri tani.
Franca përjetoi të hënën ditën më të nxehtë të qershorit të regjistruar ndonjëherë dhe natën më të nxehtë në histori të së hënës mbrëma, me një temperaturë minimale mesatare prej 21.6°C sipas Meteo France, ndërsa më shumë se gjysma e vendit ishte nën alarm të kuq.
Ndërkohë, në Spanjë temperaturat pritet të kalojnë 40°C në disa zona, me alarme të kuqe në Andaluzinë jugore dhe në Cantabria e Vendin Bask në veri, në ditën e tretë të një vale të nxehti në shkallë kombëtare.
Spanja është më e ekspozuar ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike se pothuajse çdo vend tjetër evropian. Shërbimi shtetëror meteorologjik Aemet thotë se valët e të nxehtit në qershor po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, me 10 të tilla të regjistruara në Spanjën kontinentale mes viteve 2000 dhe 2025, krahasuar me vetëm dy gjatë 25 viteve të mëparshme.
Ndërsa në Itali, alarmi i kuq për valën e të nxehtit është shpallur në 15 qytete, përfshirë Romën, Milanon, Firencen, Torinon dhe Venecian. Ky alarm sinjalizon kushte që mund të paraqesin rrezik për shëndetin edhe për të rriturit e shëndetshëm, jo vetëm për të moshuarit ose personat me sëmundje kronike.