Durim Elshani, këshilltar në kabinetin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar lidhur me raportimet për vdekjen e një pacienteje, duke publikuar kronologjinë e trajtimit të saj në Klinikën e Onkologjisë.
Elshani ka thënë përmes një postimi në Facebook se raportimet e shumta dhe, sipas tij, të pasakta, kanë bërë të nevojshme sqarimin e opinionit publik përmes dokumentacionit mjekësor zyrtar.
Ai u ka bërë thirrje mediave që të respektojnë dhimbjen e familjes dhe të mos ndërlidhin shkakun e vdekjes së pacientes me mosmarrjen e terapisë pa u mbështetur në dokumente.
Sipas kronologjisë së publikuar nga Elshani, pacientja ishte diagnostikuar me kancer të gjirit të tipit Triple Negative para gjashtë vjetësh, ndërsa trajtimet fillestare me kimioterapi dhe radioterapi i kishte përfunduar me sukses.
Në dhjetor të vitit 2025, pas rikthimit të sëmundjes me metastaza në kocka dhe omentum, rasti i saj ishte shqyrtuar nga Konsiliumi i Klinikës së Onkologjisë, i cili kishte përcaktuar trajtimin me medikamentet Palbociclib dhe Fulvestrant.
Elshani ka bërë të ditur se pacientja ishte furnizuar me Palbociclib më 13 maj 2026, në sasi të mjaftueshme për trajtim deri më 13 qershor. Sipas tij, trajtimi i kombinuar kishte vazhduar edhe gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht.
Megjithatë, ekzaminimet e kryera gjatë kësaj periudhe kishin treguar përparim të sëmundjes dhe shfaqjen e metastazave të reja në tru dhe në boshtin kurrizor.




