Shala, nuk mori pjesë fizikisht në seancën gjyqësore, por vetëm përmes një lidhjeje direkte, transmeton Klankosova.tv.
Fillimisht, gjatë seancës gjyqësore, u bë e ditur se ky aktgjykimit nuk do të jetë vendimtar.
Shala ka dorëzuar 14 pika apelimi kundër vendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin ai u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte. Në apelimin e tij, sipas gjyqtares Michele Picard, Shala ka thënë se trupi gjykues në rastin e tij ka kryer gabime juridike dhe faktike, si dhe ka gabuar në dhënien e dënimit.
Ndryshe, më 29 nëntor 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguajë 208 mijë euro për viktimat si zhdëmtim.
Për këtë rast janë mbajtur dy seanca të apelit në të cilat mbrojtja ka kërkuar lirimin e Shalës ose rikthimin e çështjes në rigjykim, ndërsa Prokuroria ka thënë se trupi gjykues në këtë rast ka vendosur drejtë, transmeton Klankosova.tv.
Përmbledhje e akuzave sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë:
Në këtë çështje gjyqësore, Prokuroria pretendon se afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roja të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin çnjerëzor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të të ndaluarve në Fabrikën e Metalit në Kukës, në Shqipërinë veriore. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona që dyshoheshin se bashkëpunonin me Serbinë ose se nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Në procesin gjyqësor morën pjesë tetë viktima të përfaqësuar nga një avokat.
Sipas Aktakuzës, të ndaluarit në fabrikën e metalit u keqtrajtuan rregullisht, si fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, ndër të tjera, përmes kërcënimit me vdekje, poshtërimit, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe detyrimit ose shtrëngimit për të dhënë informacion ose deklarata pranuese. Aktakuza pretendon se Pjetёr Shala dha kontribut të qenësishëm në krimet e pretenduara duke marrë pjesë në to drejtpërdrejt, si dhe duke mos marrë masa adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, ose duke ndihmuar dhe inkurajuar në mënyra të tjera kryerjen e krimeve që paraqiten në Aktakuzë.