Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, major Vilson Musaj, ka përfunduar me sukses kursin ndërkombëtar “International Military Cooperation Course (IMCC)”, i cili u mbajt në Mbretërinë e Holandës.
Kursi mblodhi pjesëmarrës nga 20 shtete të botës dhe shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave profesionale, avancimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë zhvillimit të kursit, major Vilson Musaj u zgjodh udhëheqës i klasës, duke përfaqësuar të gjithë pjesëmarrësit në aktivitetet e programit. Në ceremoninë e diplomimit, majori mbajti fjalimin përmbyllës në emër të pjesëmarrësve të kursit.
