E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila 7 vjet më parë ka folur publikisht për dhunën seksuale që ka përjetuar gjatë luftës, ka theksuar se një ditë para se të fliste publikisht kishte dilema se a mund të fliste apo jo.
“Ka qenë shumë e vështirë edhe sot është shumë e vështirë dhe kam pasur shumë pikëpyetje se a mund të ja dalë”, ka deklaruar ajo, në shënimin e 26 vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Drejtuesja e QKRMT-së, Feride Rushiti, ka theksuar se Krasniqi-Goodman ishte ajo që e theu heshtjen dhe u dha zë këtyre përjetimeve.
“Në këto 26 vjet nuk po shënojmë vetëm rrugëtimin e historisë, por edhe drejtësi të fituara. Kur e nisëm rrugëtimin në vitin 1999, para vetes kishim plagë të thella. Atë botë nuk ekzistonte një sistem i atillë në përgjigje të këtyre plagëve të thella. Dhe kështu nisi misioni jonë, të rindërtojmë jetë dhe të rikthejmë dinjitetin atje ku ishte rrënuar. Ky mision kishte rëndësi të veçantë për t’i dhënë dritë”, ka deklaruar ajo.
Edhe Ramadan Nishori, burri i parë i cili gjatë këtij viti foli publikisht për dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës, tha se “forca dhe guximi ynë është Vasfija”.
