Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar se prania ushtarake e Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë do të kthehet në numrat e para vitit 2023. Ai ka treguar se do të ketë një zvogëlim prej 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 500 trupash varësisht nga rrethanat. Këtij rregullimi të prezencës ushtarake të NATO-s do t’i nënshtrohet edhe ushtria amerikane .
Komanda Evropiane e Ushtrisë Amerikane ka konfirmuar se trupat amerikane do t’i nënshtrohen një rregullimi në përputhje me direktivat e fundit Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë [ SHAPE] në kuadër të NATO-s.
Kjo përshtatje e pjesëmarrjes së ushtrisë amerikane në misionin e KFOR-it në Kosovë, siç pohon Komanda Evropiane, do të bëhet në disa faza dhe duke u bazuar në vlerësimin e rrezikut.
“Bazuar në rishikimin më të fundit vjetor të kryer nga Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), NATO do të optimizojë pozicionimin e misionit të saj në Kosovë (KFOR). Si rezultat, Komanda Evropiane e SHBA-së do të zbatojë një përshtatje graduale dhe të bazuar në vlerësimin e rrezikut të kontributit amerikan në KFOR, në përputhje me optimizimin e udhëzuar nga SHAPE”, ka thënë një zyrtar i Zyrtar i Komandës Evropiane të SHBA-së për Express.
Nga Komanda Evropiane e SHBA-së thonë se pjesëmarrjen e tyre në KFOR vazhdojnë ta cilësojnë si një komponent kyç për stabilitetin rajonal.
