Sot bëhen 27 vjet nga themelimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Një urim në rrjetin e saj në Facebook e ka bërë edhe anëtarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, e cila tha se të njëjtin ua përcjellë Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët tha se i njohu në male, e me të cilët ka punuar, mësuar e rrugëtuar që nga dita e parë e partisë.
“Urime çlirimtarë! Disa lidhje farkëtohen në gjak e në vështirësi, aty ku jeta dhe vdekja ndajnë të njëjtin shteg dhe besimi te njëri-tjetri është gjithçka që ke. PDK-ja lindi para se të merrte emër: në mal, jo në zyrë; në vetëmohim, jo në privilegje. Në sakrificën për liri”.
“Prandaj, në këtë 27-vjetor të PDK-së, urimi im u drejtohet Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, burrave të cilët i njoha në male, e me të cilët kam pasur nderin të punoj, të mësoj e të rrugëtoj që nga dita e parë e partisë sonë”, shkroi mes tjerash deputetja e PDK-së.
Ajo tha se treshja që po gjykohet në Hagë barti mbi supet e veta peshën e vendimeve që ndryshuan fatin e Kosovës.

