Një përgjigje e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar, nxiti pakënaqësi në Kosovë dhe kulmoi me heqjen e flamurit “Liri për Ukrainën” që qëndronte varur në objektin Hotel Grand në qendër të Prishtinës që kur Rusia nisi agresionin e saj. Ky acarim në vend, u arsyetua me pozicionin e Kosovës kundër agresionit rus dhe ndihmën e dhënë për Ukrainën që nga nisja e luftës.
Lidhur me këtë zhvillim në raportet Prishtinë-Kyiv kanë folur gjatë për Gazetën Express nga Ambasada e Ukrainës në Shqipëri.
Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, nga kjo Ambasadë thonë se qëndrimi i Zelenskyt i shprehur në Beograd s’është asgjë e re dhe se presidenti ukrainas thjeshtë i është përgjigjur një pyetjeje të një gazetari në Beograd.
“Ambasada e Ukrainës dëshiron t’ju tërheqë vëmendjen për faktin se, gjatë vizitës së tij të fundit në Serbi, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy nuk bëri asnjë deklaratë që njoftonte një ndryshim në qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës. Ai thjesht iu përgjigj pyetjes së një gazetari në lidhje me njohjen ose mosnjohjen e Kosovës nga Ukraina. Asgjë në përgjigjen e Presidentit nuk ndryshonte nga qëndrimi konsistent i Ukrainës për këtë çështje.”, kanë thënë nga Ambasada e Ukrainës në Tiranë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express.
Një pozicion i tillë për mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës nga Kievi zyrtar thonë se në asnjë formë nuk duhet të interpretohet si mosvlerësim për ndihmën e Kosovës dhe rreshtimin e Prishtinës zyrtare krahas vendeve demokratike në sanksionimin e Rusisë.
“Ukraina e vlerëson shumë solidaritetin dhe mbështetjen e ofruar nga populli dhe institucionet e Kosovës ndaj Ukrainës që nga fillimi i agresionit në shkallë të plotë të Rusisë. Ne jemi sinqerisht mirënjohës për ndihmën e Kosovës ndaj Ukrainës dhe mbështetjen për qytetarët ukrainas. Ne gjithashtu e vlerësojmë shumë përputhjen e Kosovës me sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, qëndrimi i Ukrainës në lidhje me statusin e Kosovës mbetet i pandryshuar. Megjithatë, kjo nuk duhet të interpretohet si minimizim i vlerësimit të Ukrainës për mbështetjen dhe solidaritetin e demonstruar nga populli i Kosovës ndaj Ukrainës.”, kanë thënë nga Ambasada e Ukrainës për Gazetën Express.
Sa i përket mundësisë së rikonsiderimit të qëndrimit për pavarësinë e Kosovës, Ambasada ukrainase në Tiranë thotë se ky vendim merret nga autoritetet qendrore të Ukrainës, në përputhje me interesin kombëtar, ligjin ndërkombëtar dhe duke marrë parasysh kontekstin e zhvillimeve në nivel ndërkombëtar.
“Lidhur me mundësinë e rishqyrtimit të këtij qëndrimi, çdo vendim që ka të bëjë me politikën e jashtme të Ukrainës përcaktohet nga autoritetet shtetërore përkatëse në përputhje me interesat kombëtare të Ukrainës, Kushtetutën dhe legjislacionin e Ukrainës, si dhe të drejtën ndërkombëtare, brenda kontekstit të zhvillimeve përkatëse në nivel ndërkombëtar”, kanë sqaruar nga Ambasada e Ukrainës në Tiranë.




