Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se Ukë Rugova do të jetë pjesë e listës së LDK-së për deputet për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Postimi i plotë:
Në ditëlindjen e Presidentit Rugova, pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore.
Sot, në 81-vjetorin e lindjes së arkitektit dhe prijësit tonë, vizitova zonjën Fana dhe Familjen Rugova. Në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës.
Ukë, të priftë e mbara në këtë garë.
Me zonjën Fana biseduam edhe për rrugën e filluar tre dekada më parë; për sakrificat e heshtura që e ndoqën; për vendosmërinë që nuk u thye asnjëherë, edhe kur Kosova ishte në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj moderne. Dhe sot, kur shteti ynë përballet me sfida të reja, mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore.
Presidenti ka vetëm ditëlindje.
81 vite më parë, më 2 dhjetor 1944, lindi Ibrahim Rugova; njeriu që e ktheu ëndrrën e lirisë në projekt politik, që e ndërtoi shtetin e përjetshëm që kemi, dhe që e vendosi Kosovën në hartën e botës si çështje të drejtë, të arsyeshme e të domosdoshme.
Ai nuk ishte produkt i kohës së vet; ai ishte përpara kohës së vet.
Rugova lindi në një familje të përndjekur; i mbijetoi dhimbjes së hershme, humbjes së babait dhe gjyshit, represionit e varfërisë. Por nga ai sfond i rëndë doli njeriu më i qetë, më i butë dhe njëkohësisht më i pathyeshmi që kanë njohur shqiptarët në shekullin e fundit.
Nisi si studiues e intelektual. Shkolla e Istogut, e Pejës, doktoratura në Prishtinë, bashkë me studimet në Paris nën mbikëqyrjen e Roland Barthes – nuk i dhanë vetëm tituj akademikë, por formësuan mendjen që më vonë do ta projektonte Kosovën drejt Perëndimit në mënyrën më të pastër dhe më të guximshme.
Kur u bë thirrja e madhe e vitit ’89, ai e la letërsinë për t’u bërë mburojë e një kombi.
Nga aty lindi LDK-ja.
