Paolo Zampolli, i cili ishte takuar me përfaqësues të Republikës Srpska në Banjallukë, u largua nga detyra pas publikimit të e-maileve që zbuluan konfliktin e tij me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkarkuar Paolo Zampollin nga detyra e të dërguarit të posaçëm për partneritete globale, vetëm disa orë pasi mediumi amerikan Politico publikoi korrespondencën elektronike që zbuloi përplasjen disamujore mes tij dhe zëvendëssekretarit të Shtetit, Christopher Landau.
Çështja ka rëndësi edhe për Ballkanin Perëndimor, pasi Zampolli kishte vizituar Banjallukën në shkurt të këtij viti, ku ishte takuar me përfaqësues të autoriteteve të Republikës Srpska, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm të entitetit, Milorad Dodik.
Siç raportoi RTK-ja mbrëmjen e së enjtes, zhvillimet lidhen me rolin e Zampollit në rajon dhe me pikëpyetjet rreth mandatit të tij për të përfaqësuar administratën amerikane në çështje politike dhe ekonomike.
Sipas POLITICO-s, Landau kishte kontaktuar ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për t’i sqaruar se Zampolli nuk ishte i autorizuar të përfaqësonte Uashingtonin për çështje që tejkalonin diplomacinë kulturore. Landau kishte kërkuar falje nëse vizita e të dërguarit kishte shkaktuar paqartësi.
Takimet në Ballkan, në qendër të mosmarrëveshjeve
Vizita e Zampollit në Republikën Srpska u bë një nga çështjet e debatit brenda administratës amerikane. Sipas raportimeve, ai ishte takuar me përfaqësues të autoriteteve lokale, ndërsa vizita u paraqit nga pala serbe e Bosnjë-Hercegovinës si një mundësi për të forcuar lidhjet me administratën Trump.

