Studiuesja, profesoresha, autorja dhe ish hetuesja e Tribunalit për Krime Lufte në Ish Jugosllavi (ICTY) Nevenka Tromp ka kritikuar aktgjykimin dënues të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Një ditë pas këtij vendimi, ajo, në një intervistë për KosovaPress, ka folur për dimensionin njerëzor të dënimeve dhe pasojat politike të vendimit.
Po ashtu, Tromp ka diskutuar me gazetarin Besart Maloku edhe rolin e Thaçit në krijimin e Dhomave të Specializuara, bashkëpunimin e tij, shfrytëzimin që mund t’ia bëjë Serbia këtij aktgjykimi, procesin e apelit dhe çështje tjera.
Ajo ka preferuar që fillimisht të ndalet te përjetimi personal i katër të dënuarve. Sipas saj, drejtësia duhet të shihet para së gjithash në raport me individët.
“Para së gjithash, përshtypja ime e parë, duke e ndjekur leximin e aktgjykimit dhe shpalljen e vendimit, ishte se sa jashtëzakonisht e dhimbshme duhet të ketë qenë për katër të akuzuarit që ishin ulur aty duke dëgjuar dhe, në fund, duke e dëgjuar vendimin. Dhe ne gjithmonë duhet t’i kthehemi këtij dimensioni njerëzor, sepse, e dini, tani të gjithë po flasin me fjalë të mëdha: si ndikon kjo në Kosovë, si ndikon në marrëdhëniet me Serbinë? Por, në thelb, drejtësia është në radhë të parë dhe duhet parë në raport me individët”, ka thënë Tromp.
Ajo ka rikujtuar se tre prej tyre ishin studentë kur vendosën t’i bashkoheshin luftës. Për më tepër, ka theksuar se ata ndërprenë jetën që kishin dhe u kthyen për të luftuar në Kosovë. Sipas saj, ata mund të zgjidhnin një rrugë tjetër, por vendosën të sakrifikonin për vendin dhe familjet e tyre.
“Pra, shikojini këta katër njerëz. Tre prej tyre ishin studentë kur ndërprenë normalitetin e jetës së tyre, madje erdhën edhe nga jashtë, për të luftuar për vendin e tyre — madje jo vetëm për vendin e tyre, por për motrat dhe vëllezërit e tyre, për nënat dhe gratë e tyre. Dhe e bënë këtë kur kishin mundësinë të ktheheshin prapa dhe të bënin diçka tjetër. Pra, a mund ta imagjinoni të jeni në vijën e parë të luftës dhe, në fund, ta fitoni këtë luftë me gjithë botën, me vendet e NATO-s që ju mbështesnin?”, ka th ë n ë ajo. “Dhe pastaj, pas luftës, filloni të punoni për shtetësinë e Kosovës dhe përfundoni duke paguar çmimin për zgjedhjet që i keni bërë si një i ri në të njëzetat. Pra, e gjithë jeta e tyre iu kushtua një kauze të madhe dhe ata sakrifikuan aq shumë në raport me familjet dhe fëmijët e tyre. Dhe tani përballen — sigurisht, kur bëhet fjalë për Thaçin dhe Jakup Krasniqin, i cili është pak më i moshuar se të tjerët — me 25 vjet burgim, që de facto është dënim i përjetshëm”.
Tromp ka kritikuar disa prej deklaratave të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith ndërsa e cilësoi ironik referimin që ia bëri aktgjykimit duke thënë se po e bënë atë “në emër të popullit të Kosovës”.
Ajo ka përmendur edhe protestat e qytetarëve, të cilët kundërshtuan vendimin e Dhomave të Specializuara.