Kur flitet për suksesin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, përmenden dy shtylla kryesore: reformat e brendshme që kanë transformuar sistemin e drejtësisë, dhe diplomacia e jashtme që ka afruar vendin me qendrat vendimmarrëse të Evropës.
Pesë vjet nga vendimi i Komisionit Evropian për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, dhe vetëm një vit prej se ato kanë nisur në praktikë, vendi ka hapur 28 kapituj – katër vetëm këtë muaj – nga 35 gjithsej.
Ky përparim ka ngjallur optimizëm në Bruksel, ku zyrtarët besojnë se Shqipëria mund t’i hapë kapitujt e mbetur deri në fund të vitit.
“Shqipëria ka treguar se ndryshimi pozitiv është i mundur dhe BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv. Mbajeni ritmin”.
Këtë shtysë, komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ia dha kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, më 16 shtator në Bruksel.
Shqipëria, me ritëm gjithnjë e më të qëndrueshëm nisi të lëvizte qysh në fillim të viteve ‘90, kur diktatura komuniste që kishte mbajtur vendin të izoluar hermetikisht për 45 vjet, u rrëzua mes trysnisë popullore për ndryshim.
Demokracia ishte ëndrra e madhe e shqiptarëve të asaj kohe, por realiteti solli përballje edhe me pasiguri të thella ekonomike dhe shoqërore.
Në mesin e viteve ‘90, vendi përjetoi një prej krizave më të rënda të historisë moderne: kolapsin e skemave piramidale, që çuan në revoltë dhe kaos në vitin 1997.
Anarkia që pasoi – me depot e ushtrisë të hapura dhe armët në duart e civilëve – vuri në pikëpyetje edhe vetë mbijetesën e shtetit. Mbi 2.000 njerëz humbën jetën, mijëra të tjerë emigruan.
Por, edhe në këto rrethana, Shqipëria mbeti e orientuar nga Perëndimi. Fillimisht, ndihma ndërkombëtare dhe misionet paqeruajtëse ndihmuan në stabilizim.
Më pas, vendi nisi të ndërtonte institucione të reja dhe të afrohej me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Në vitin 2009, Shqipëria u bë anëtare e aleancës më të madhe ushtarake perëndimore, ndërsa pesë vjet më vonë, BE-ja ia dha statusin e vendit kandidat.
Klodiana Beshku, ligjëruese në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës, thotë se slogani i protestave të viteve ’90 “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” nuk ishte, thjesht, thirrje e asaj kohe, por u bë udhërrëfyes për shoqërinë shqiptare gjatë gjithë rrugëtimit drejt integrimit evropian, duke u pasqyruar edhe në kulturë e art, e më pas edhe në politikën e jashtme të vendit.
“Integrimi evropian ishte zanafilla dhe objektivi i çdo qeverie shqiptare dhe, mbi të gjitha, i Qeverisë së tanishme të kryeministrit Rama. Për hir të së vërtetës, Rama është jashtëzakonisht i dedikuar ndaj kësaj çështjeje”, thotë Beshku për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
“Shqipëria 2030 në BE” ishte slogani i partisë së Ramës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të cilat ai i fitoi bindshëm. Pas konfirmimit të Qeverisë së re më 18 shtator në Kuvend, Rama deklaroi se ky slogan do të mbetet kryefjala e mandatit të tij të ri – të katërtit me radhë.
“Shqipëria evropiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit tonë dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që do të ndërmarrim”, u shpreh Rama.
Beshku thotë se reformat e ndërmarra gjatë viteve, veçanërisht ajo në drejtësi, e cila çoi në vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në arrestimin e rasteve të korrupsionit në nivel të lartë, ripërcaktuan pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë.
“Ajo ka sjellë si risi rënien e kulturës së mosndëshkimit në nivele të larta. Kjo ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin e individëve ndaj shtetit, por edhe perceptimin ndaj Shqipërisë së jashtme”, sipas saj.
Me të pajtohet edhe Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë, i cili prej vitesh ndjek politikat e BE-së. Ai thotë se udhëheqësit evropianë janë të impresionuar jo vetëm nga reformat e thella në Shqipëri dhe përmbushja e kërkesave të BE-së, por edhe nga imazhi që Rama ka ndërtuar në Bruksel.
Sipas Jozwiakut, Rama gjithmonë shfaq mentalitetin “mund ta bëjmë”, që e dallon qartazi nga të tjerët.
“Edi Rama është shumë i pëlqyer në Bruksel. Do të thosha, madje, se e duan shumica – qoftë për shkak të karizmës, qoftë për shkak të pozitivitetit. E gjithë prezenca e tij publike është në kontrast të thellë me shumë udhëheqës të tjerë, sidomos nga Ballkani Perëndimor, të cilët vijnë në Bruksel dhe ankohen për këtë, për atë, dhe për njëri-tjetrin”, thotë Jozwiak.
Shqipëria spikat në ritëm mes nëntë vendeve kandidate për BE. Sipas Jozwiakut, është “nxënësja e vetme me notën A+”, e ndjekur nga Mali i Zi; të tjerat ecin më ngadalë ose kanë mbetur në vendnumëro.
