Trajkoviq duke i reaguar Vuçiqit ka shkruar se “ndoshta është më mirë ta thoni këtë në serbisht në mënyrë që autorët e krimeve që po mbroni nga Srebrenica në Banjska të mund ta dëgjojnë mirë”?
“Pse një deklaratë kaq e rëndësishme në anglisht? Ia thatë këtë bashkësisë ndërkombëtare shumë kohë më parë. Ndoshta është më mirë ta thoni këtë në serbisht në mënyrë që autorët e krimeve që po mbroni nga Srebrenica në Banjska të mund ta dëgjojnë mirë? Apo çështja është se me këtë deklaratë lani veten dhe shpëtoni kolltukun dhe njerëzit janë kolektivisht fajtorë”, shkroi ai.
Ndërsa, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka shkruar se mbushen tridhjetë vjet që kur u krye krimi i tmerrshëm në Srebrenicë.
“Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por duhet ta ndryshojmë të ardhmen. Edhe një herë, në emër të qytetarëve të Serbisë, shpreh ngushëllimet e mia familjeve të viktimave boshnjake, i bindur se një krim i ngjashëm nuk do të ndodhë më kurrë”, shkruan ai.
Bosnja e Hercegovina sot shënon 30-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.