Një mot ekstrem ka goditur këtë pasdite disa zona të Italisë, me tornado, breshër dhe erëra të fuqishme që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Kremonës dhe në zona të tjera të vendit.
Në Kremonë, stuhia ka dëmtuar rëndë disa ndërtesa, përfshirë Katedralen dhe Bashkinë. Nga fuqia e erërave është dëmtuar çatia e njërës prej majave të Katedrales, ndërsa është shembur edhe çatia e kullës qytetare të Bashkisë, një nga gjurmët e mbetura të ndërtesës së vjetër të qytetit.
Sipas raportimeve, rreth 40 persona kanë mbetur të plagosur. Shumica kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa një rast më serioz është regjistruar në Via Giuseppina, në periferi të Kremonës, ku një automjet është goditur nga një pemë e rrëzuar.
Personat që ndodheshin brenda automjetit janë nxjerrë me ndihmën e banorëve dhe më pas të ekipeve të emergjencës. Të plagosurit e tjerë janë goditur nga breshëri, copa çatie, tjegulla dhe materiale të shkëputura nga ndërtesat. Disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kryesisht për dëmtime dhe gjendje shoku.
Moti i keq ka prekur edhe zonën lindore të Bassa Piacentina, ku janë regjistruar reshje të dendura breshëri. Në Castelsangiovanni, në kufi me provincën e Pavias, kokrrat e breshërit kanë arritur madhësinë e topave të tenisit.
Shërbimet zjarrfikëse kanë marrë dhjetëra thirrje për ndihmë, kryesisht për pemë të rrëzuara dhe dëme në automjete. Stuhia ka shkaktuar dëme edhe në zonat bujqësore, veçanërisht në vreshta.
Në autostradën Piacenza-Torino, reshjet e forta detyruan disa drejtues mjetesh të ndalonin përkohësisht. Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka pasur persona të lënduar.
Probleme janë regjistruar edhe në Torino, ku ekipet e zjarrfikësve kanë ndërhyrë për të shpëtuar tetë persona të bllokuar në rrugë në zonën Clot de la Batüa, teksa po përpiqeshin të ktheheshin në banesat e tyre.




