Sir Tony Blair po dëshiron ta drejtojë Gazën posa të përfundojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit.
Ish-kryeministri britanik ka hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës përmes organizatës së tij ‘think tank’, “the Tony Blair Institute” (TBI).
“The Telegraph” ka mësuar se Sir Tony, 72-vjeç, ofroi të kryesonte një qeveri të përkohshme në Gaza me kusht që pushteti përfundimisht t’i dorëzohej Autoritetit Palestinez (AP), i cili kontrollonte Rripin e Gazës deri në vitin 2006.
Ai ka mbështetjen e disa figurave të fuqishme, përfshirë Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trumpit dhe një ish-këshilltar për Lindjen e Mesme, dhe Steve Witkoff, të dërguarin special të presidentit amerikan.
Në një takim me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë më 27 gusht, Kushner dhe Witkoff argumentuan se ish-lideri i Partisë Laburiste britanike mund të drejtonte një administratë të përkohshme në Gaza. Burime i thanë “The Economist” se Sir Tony ishte “i gatshëm të sakrifikonte kohën e tij” për t’i dhënë fund luftës dhe për të ndihmuar në drejtimin e Gazës.
Trumpi thuhet se e mbështeti atë plan përpara se t’ua paraqiste idenë udhëheqësve të Turqisë, Pakistanit, Indonezisë dhe pesë vendeve arabe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë javë. “Ndoshta mund ta përfundojmë [luftën] tani”, thuhet se u tha atyre, transmeton Klankosova.tv.
Burime më parë konfirmuan për “The Telegraph” se Sir Tony kishte punuar në një plan për t’i dhënë fund luftës, i njohur si “dita pas”, që kur shpërtheu konflikti në tetor 2023.
Plani i Blairit, i cili përditësohet dhe rishikohet vazhdimisht, nuk përfshin zhvendosjen e banorëve të Gazës, por do të përfshijë krijimin e një organi të përkohshëm të quajtur Autoriteti Ndërkombëtar Kalimtar i Gazës (Gita).
Burimet i thanë “The Economist” se Gita do të modelohet sipas administratave ndërkombëtare që ishin në fuqi gjatë tranzicionit të Timorit Lindor dhe Kosovës në shtetësi të plotë. Mund të ketë selinë në el-Arish, një kryeqytet provincial egjiptian pranë jugut të Gazës.
