Edi Rama mblodhi në studion e tij mediatike, në Kryeministri, pesë socialistët që garojnë për Beratin, Vlorën, Tepelenën, Cërrikun dhe Matin, por mendjen e kishte te kandidatja e gjashtë që nuk ishte në studio, Ogerta Manastirliu, shkruan A2 CNN.
Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që hodhi poshtë përfundimisht mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, duket se nuk e kishte tejkaluar ende, duke e komentuar këtë herë me zë e figurë.
“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027 dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të largohet, përveçse me zgjedhje, atëherë jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë. Kush ka në dorë ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se, përtej të gjitha teorive të tjera të konspiracionit, kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë. Ky është një skandal në vetvete dhe është një skandal për të cilin qytetarët e Tiranës paguajnë një kosto, dhe kryeqyteti paguan një kosto çdo ditë, të padrejtë”, tha Rama.
