Shpresat për të gjetur të mbijetuar po shuhen sot, tre ditë pas një tërmeti të fuqishëm që goditi Afganistanin, ndërsa anëtarë të forcave speciale të ushtrisë zbritën nga aeroplanët në rajonet malore lindore të vendit për të marrë pjesë në operacionet e shpëtimit.
Pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.0 goditi Afganistanin lindor të dielën në mbrëmje, një tërmet i dytë me magnitudë 5.5 të martën në mbrëmje shkaktoi panik tek banorët. Tërmeti i dytë rrafshoi shtëpitë që ishin dëmtuar pjesërisht nga i pari.
Vështirësia e operacioneve të shpëtimit është e madhe
Pothuajse të gjitha viktimat (1,411 të vdekur, 3,124 të plagosur) të tërmetit, një nga më vdekjeprurësit e regjistruar ndonjëherë në vend, ndodheshin në provincën Kunar, megjithëse provincat e Laghman dhe Nangarhar u prekën gjithashtu rëndë nga dridhja.
Në distriktin Nurgal të Kunarit, njerëzit janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe përpjekjet e shpëtimit janë të vështira, tha një zyrtar lokal. Rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar gjithashtu aksesin në disa fshatra. Organizata joqeveritare Save the Children njoftoi se ekipet e saj u detyruan të ecnin 20 kilometra për të “arritur në një fshat të izoluar nga bota nga rrëshqitjet e dheut, duke mbajtur pajisje mjekësore në shpinë”.
55 fluturime evakuimi
Gjatë dy ditëve, Ministria Afgane e Mbrojtjes organizoi 155 fluturime me helikopterë për të transportuar afërsisht 2,000 të plagosur dhe të afërmit e tyre në spitale. Një klinikë e vogël në terren është ngritur në Mazar Dara, një fshat në provincën Kunar, për të ofruar ndihmën e parë për të plagosurit, por të mbijetuarve nuk u janë dhënë tenda për t’u strehuar, tha një korrespondent i AFP-së.
Ndërkohë, dhjetëra anëtarë të forcave speciale u hodhën me parashutë nga aeroplanët në zonat ku helikopterët nuk mund të ulen për të ndihmuar në transportimin e të plagosurve, tha Ehsanullah Ehsan, kreu i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive në Kunar.