Kosova po përballet me një valë të jashtëzakonshme të të nxehtit, teksa temperaturat ditën e sotme kanë shënuar rekorde në disa komuna të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare të orës 14:00 nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, vlera më e lartë e regjistruar sot ishte në Han të Elezit, ku termometri arriti në 42.4°C në orën 13:00, duke e bërë këtë ditë si më të nxehtën e matur ndonjëherë nga rrjeti shtetëror meteorologjik.
Përveç Hanit të Elezit, temperatura ekstreme janë regjistruar edhe në Kamenicë (41.6°C), Gjilan (41.2°C), Klinë (41.1°C), Rahovec (41.1°C), Leposaviq (41.3°C), Gjakovë (41.7°C), Komoran (40.8°C), Skenderaj (40.3°C), Mitrovicë (40.5°C), Prishtinë (40.2°C), dhe Istog (40.5°C).