Të paktën pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian aktualisht po e bllokojnë drejtpërdrejt Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, duke mos mbështetur hapjen e grupit të tretë të kapitujve (Klasterit 3) në negociatat e anëtarësimit.
Përveç Holandës, përfaqësuesi i së cilës e ka konfirmuar zyrtarisht këtë për Radion Evropa e Lirë, ndër vendet që kundërshtojnë hapjen e klasterit janë edhe tri shtetet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – si dhe Suedia.
Në anën tjetër, gazeta Danas raporton se një qasje e tillë është e paprecedentë në procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe përbën një sinjal serioz alarmi.
“Situata ka arritur në pikën kritike”, kanë thënë burime të kësaj gazete.
Përgjegjës për këtë situatë ata e konsiderojnë regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se ai i ka shteruar tashmë të gjitha kreditë politike dhe besueshmërinë për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Sipas tyre, mënyra e qeverisjes së tij karakterizohet me korrupsion, shkelje të të drejtave të njeriut dhe kufizim të lirisë së shprehjes.
