Rusia ka kryer sulme të mëdha me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, duke i vrarë të paktën gjashtë njerëz, përfshirë dy fëmijë, thanë autoritetet të mërkurën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për shtimin e trysnisë ndaj Kremlinit gjatë udhëtimit të tij drejt Suedisë, ku pritet të kërkojë më shumë armë mbrojtëse mes përpjekjeve të ngecura për paqe.
Zelensky i cilësoi si “të liga” sulmet ruse dhe tha se ato goditën infrastrukturën energjetike dhe civile në të paktën dhjetë rajone të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kievin.
“Një tjetër natë që dëshmon se Rusia ende nuk ndien mjaftueshëm trysni për zvarritjen e luftës… Fjalët e Rusisë për diplomacinë nuk kanë asnjë kuptim përderisa udhëheqja ruse nuk i ndien problemet kritike”, shkroi ai në X.
