Historia e një problemi në Fier ka marrë rrjedhë tjetër pasi motra e policit Fredi Lamaj ka publikuar mesazhet e plota që i kishte marrë nga Altin Meçaj.
Meçaj deri tani kishte pretenduar se efektivi policor Fredi Lamaj e kishte rrahur vetëm pse ia kishte bërë “like” dhe një koment “komplimentues” së motrës.
Motra e policit shqiptar ka publikuar edhe mesazhet që ka marrë prej Meçajt, duke thënë se e ka denoncuar për përndjekje, pasi i shkruante vazhdimisht dhe i shprehte dashurinë. Reagimi i plotë:
Kjo është hera e parë që flas publikisht dhe në media, dhe po e bëj vetëm sepse ndihem e detyruar të sqaroj disa të pavërteta që po përsëriten prej ditësh.
Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta.
Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet.
Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.
Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë.
Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.
Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve.
