Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau. Ndër të tjera, Osmani foli edhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA.
Presidenca njofton se gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e Presidentit Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
Presidentja Osmani foli poashtu edhe për zhvillimet e fundit, situatën e sigurisë në rajon, si dhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, vijon njoftimi.
Sipas presidencës, Presidentja theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gatishmërinë për të vazhduar punën e ngushtë me Administratën e Presidentit Trump, siç është reflektuar përmes heqjes së tarifave për produktet amerikane, marrëveshjes për shtetasit e vendeve të treta, linjëzimit me politikën e jashtme amerikane, harmonizimit të plotë të listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Trump, si dhe përmes veprimeve të tjera që dëshmojnë mbështetjen e Kosovës për Administratën e Presidentit Trump.
