Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka folur rreth tri exit polleve që e nxorën fitues në zgjedhjet e 12 tetorit, por që sipas rezultateve zyrtare të KQZ-së, ai do të garojë në raundin e dytë me kundërkandidatin Faton Pecin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Tahiri ka thënë në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, se megjithëse exit pollet zakonisht kanë një gabim prej 1 deri në 3 për qind, ajo çfarë ndodhi në rastin e Mitrovicës, tani është pjesë e hetimeve dhe se organet kompetente do të zbardhin të vërtetën.
E dimë që exit pollet mund të kenë gabime edhe kanë gabime të vogla, 1% deri maksimalisht 3%, shtoi tjetra që në të gjithë qytetet tjera të Kosovës kanë pasur pothuajse saktësi 100%, ndërsa në qytetin e Mitrovicës gjithashtu tri kompani të ndryshme kanë qenë që kanë bërë matje të exit poll-it dhe të tria kanë pasur një diskrepancë shumë të madhe në raport me atë që është raportuar dhe me atë faktike se çka ka ndodhur, por pavarësisht asaj që ka ndodhur, është temë e çështjes së hetuesisë dhe besoj se organet kompetente në mënyrën më profesionale të mundshme do ta bëjnë punën e vet dhe do zbardhet e vërteta”, tha Tahiri.
