Gjykata Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini, dhe ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në lidhje me ndërhyrjet që u bënë nga institucionet paralele, gjatë procesit të votimit.
E plotë: Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini, dhe ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.205/2025, të datës 15.10.2025. Çështja është kthyer në rivendosje në PZAP.
Bazuar në shkresat e lëndës, Arber Emini me datë 13.10.2025, është ankuar në PZAP, me pretendimin se “me datë 12.10.2025 në Zgjedhjet Lokale në Kllokot, Serbia ka ndërhyrë në sistemin zgjedhor në Komunën e Kllokotit, duke fabrikuar dëshmi mjekësore serbe të strukturave paralele për t’u shfrytëzuar votuesit me asistencë të përdorin këtë vërtetim mjekësor”.
