Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se nga hetimet ndaj grupit kriminal që kreu sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc janë zbuluar edhe dy raste të tjera të rënda kriminale, të cilat aktualisht janë në proces hetimi.
Ai në një intervistë për KosovaPress, deklaroi se ky grup ka vepruar për një kohë të gjatë në Kosovë dhe se bëhet fjalë për një ndërmarrje të mirëorganizuar nga shërbimet sekrete të Serbisë, me qëllim destabilizimin e vendit.
Kreu i policisë, konfirmon se ka edhe persona të tjerë të dyshuar për sulmin e mbrëmjes së 29 nëntorit të vitit të kaluar në kanalin e Varagës në Zubin Potok, duke shtuar se Policia e Kosovës po ndjek pista të tjera hetimore.
Hoxha ka prezantuar dëshmi që, sipas tij, vërtetojnë lidhjen direkte të të arrestuarve me institucionet e sigurisë së Serbisë. Ai ka theksuar se njëri nga të arrestuarit posedonte libreze ushtarake që dëshmon se ka qenë pjesë e shërbimit inteligjent të Ushtrisë së Serbisë, me gradën e togerit.
Sipas tij, armatimi, pajisjet dhe mënyra e veprimit të këtij grupi lidhen edhe me dy vepra të tjera të rënda kriminale të ndodhura në Kosovën e pasluftës. Megjithatë, Hoxha ka bërë të ditur se detajet nuk mund të publikohen për momentin, për shkak se rastet janë ende në hetim dhe në koordinim me Prokurorinë Speciale.
Drejtori i Policisë ka theksuar se mënyra e përzgjedhjes së cakut, vendosja e eksplozivit, sasia e tij dhe mënyra e tërheqjes pas sulmit dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për një akt të rastësishëm, por për një operacion të planifikuar dhe të organizuar mirë nga shërbimet sekrete të shtetit fqinj.
