Të shtunën e 24 tetorit pritet të zhvillohet një tjetër protestë studentore përpara godinës së Kryeministrisë. Përmes një thirrjeje publike të shpërndarë në rrjetet sociale, qytetarët ftohen të mblidhen në shesh.

Në njoftimin e shpërndarë, me slloganin “Të shtunën, të gjithë në shesh!”, bëhet me dije se vendtakimi do të jetë përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjithashtu theksohet se kjo protestë do të jetë rinore, popullore dhe e diasporës.

Prej 10 ditës studentë, gjimnazistë dhe të rinj po protestojnë në rrugët e Tiranës teksa kanë refuzuar dialogun me kryeministrin Edi Rama. Ata kanë bërë thirrje për dorëheqjen e tij.