Votimi në Kuvend për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen nuk kaloi pa reagimin e Bashkimit Evropian.
Brukseli ka shprehur “shqetësime”, duke vlerësuar se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Por, në Kosovë, përfaqësues të politikës, shoqërisë civile dhe avokatisë kanë edhe një varg kritikash për vetë Gjykatën në Hagë, prej mandatit të saj e deri te mënyra se si, sipas tyre, po funksionon drejtësia.
Megjithatë, nisma ka nxitur debat edhe për përputhshmërinë e saj me detyrimet ndërkombëtare të vendit, pikërisht çështjen që BE-ja e vuri në qendër të reagimit të vet.
Ismail Tasholli, nga platforma “Liria ka Emër”, thotë se reagimi i Bashkimit Evropian nuk duhet parë vetëm nga këndvështrimi i detyrimeve të Kosovës, por edhe nga përgjegjësia që, sipas tij, ka vetë BE-ja për mënyrën se si është krijuar dhe mbështetur Gjykata Speciale.
Tasholli e konsideron mekanizmin gjyqësor selektiv në baza etnike dhe kërkon që të trajtohet edhe çështja e barazisë së viktimave para ligjit.
“Reagimi i Bashkimit Evropian duhet parë edhe nga këndvështrimi i përgjegjësisë apo papërgjegjësisë së vet BE-së për mënyrën se si është konceptuar dhe mbështetur Gjykata Speciale. Në vlerësimin tim, Bashkimi Evropian ka cenuar parimet e drejtësisë së barabartë, etikës juridike dhe frymës së standardeve ndërkombëtare kur ka mbështetur krijimin e një mekanizmi gjyqësor me karakter selektiv etnik, brenda rendit kushtetues të një shteti qytetar dhe multietnik si Kosova”, tha Tasholli.
Siç thotë ai, nuk mund të kërkohet nga Kosova respektim i detyrimeve ndërkombëtare pa u diskutuar edhe parimi i trajtimit të barabartë para drejtësisë.
“Nuk mund të kërkosh respektim të detyrimeve ndërkombëtare, ndërkohë që shmang pyetjen themelore, a është respektuar parimi i barazisë para ligjit dhe i trajtimit të barabartë të viktimave, pa dallim etnie?, deklaroi ai
Tasholli shtoi se BE-ja, para se ta kritikojë Kosovën, duhet t’u përgjigjet edhe kritikave që ai i cilëson si shqetësime për standarde të dyfishta.
“Prandaj, Bashkimi Evropian, përpara se ta kritikojë Kosovën, duhet t’u përgjigjet edhe shqetësimeve legjitime për standardet e dyfishta dhe selektivitetin e këtij mekanizmi. Kosova ka detyrime ndërkombëtare, por edhe Bashkimi Evropian ka përgjegjësi morale dhe institucionale për të garantuar që drejtësia të mos jetë instrument i pabarazisë”, u shpreh Tasholli.
Edhe avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për Klankosova.tv, tha se debati për Specialen duhet të përfshijë edhe mënyrën e funksionimit të saj, llogaridhënien dhe trajtimin e provave.
Ai foli edhe për raportin mes gjykatës dhe Prokurorisë, si dhe për peshën që, sipas tij, u është dhënë provave të caktuara dhe trajtimin e provave shfajësuese.
“Shqetësimi më i madh do të duhej të ishte se si në qendër të Evropës një gjykatë funksionon pa llogaridhënie, shfaq hapur afërsi me Prokurorinë, u jep peshë provave të siguruara nga një regjim që ka ushtruar gjenocid, anashkalohen provat shfajësuese dhe, përmes vendimeve të saj, rrezikon të ndikojë në riformësimin e narrativës historike të një populli”, tha Bajraktari.
Avokati kërkoi qartësim të mandatit të gjykatës dhe forcim të garancive procedurale, duke theksuar se respektimi i detyrimeve ndërkombëtare duhet të shoqërohet me standarde të njëjta edhe për institucionet e drejtësisë.
“Këto nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohen, prandaj duhet qartësim të mandatit të gjykatës, forcim të garancive procedurale dhe respektim strikt të rregullave bazë të drejtësisë. Nëse nga Kosova kërkohet respektim i zotimeve ndërkombëtare, gjë të cilën e ka bërë dhe po e bën, të njëjtat standarde duhet të kërkohen edhe nga institucionet e krijuara në emër të drejtësisë”, thotë avokati Bajraktari.
Ndryshimi në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, i iniciuar nga PDK-ja, u miratua në lexim të parë të hënën, më 5 tetor, ndërsa në lexim të dytë kaloi në minutat e fundit të së martës, më 6 tetor
Dy ditë më vonë, më 8 tetor, Bashkimi Evropian reagoi zyrtarisht, duke kërkuar që Kosova t’u përmbahet zotimeve ndërkombëtare dhe të mos cenohet pavarësia e Gjykatës Speciale.




