Siguria e Kosovës po rrezikohet nga raste spiunazhi të lidhura me shërbimet sekrete serbe. Arrestimet e fundit ngrenë shqetësime për përmasat e kërcënimit dhe gatishmërinë institucionale për t’u përballur me të.
Veprimet e spiunazhit rrezikojnë drejtpërdrejt rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe sigurinë e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, thotë prokurori i Prokurorisë Speciale, Bekim Kodraliu.
Megjithatë, ai siguron se kjo strukturë është e përgatitur dhe e gatshme të ndërmarrë veprime hetimore në çdo moment për raste të tilla.
“Gjatë trajtimit të këtyre rasteve, Prokuroria vepron në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Si rezultat të kësaj pune, Kodraliu përmend në mënyrë të veçantë aktgjykimin e parë për spiunazh në Kosovë, dhënë ish-zyrtarit policor, Aleksandar Vllajiq.
Vllajiq u dënua më 5 qershor nga Gjykata Themelore në Prishtinë me pesë vjet burgim, pasi pranoi se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë – BIA.
Këtë muaj, edhe një zyrtar tjetër policor i Kosovës, po ashtu me kombësi serbe, u dërgua në paraburgim nën dyshimet për spiunazh.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Bojan Jevtiq “është i arrestuari i gjashtë me radhë në rastet e spiunazhit në Kosovë”, pa dhënë detaje mbi periudhën kohore të arrestimeve.
Më herët këtë vit, Radio Evropa e Lirë raportoi për arrestimin e Jellena Gjukanoviqit, serbe nga Kosova, nën akuzat për spiunazh.
Në qershor të vitit të kaluar u arrestuan edhe Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, pas dyshimeve se spiunuan te BIA.
Radio Evropa e Lirë pyeti Policinë e Kosovës nëse vendi është duke u përballur me një ofensivë të inteligjencës serbe dhe sa i përgatitur është për t’u kundërpërgjigjur, por nuk mori asnjë sqarim.
Në një konferencë për media më 22 korrik, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se situata e sigurisë, në përgjithësi, është e qetë dhe stabile.
“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, sidomos të institucioneve të saj. Nuk është se gjithmonë kanë qenë – apo fare herë kanë qenë – në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne jemi të përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vendin tonë”, tha Hoxha.
Eksperti i sigurisë, Valdet Hoxha, nuk e përjashton mundësinë që shërbimet e vendeve jo mike – veçanërisht ato serbe – të jenë duke shfrytëzuar momentin.
Ai thotë se periudhat e pasigurisë politike, si ajo që po kalon aktualisht Kosova, janë zakonisht të favorshme për aktivitete të padukshme si spiunazhi.
Megjithatë, thekson se këto veprime nuk janë domosdoshmërisht të reja apo të lidhura vetëm me periudhën e fundit, pavarësisht arrestimeve.
Hoxha, i cili në të kaluarën ka shërbyer edhe si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, shpjegon se spiunazhi, në thelb, synon dëmtimin e sigurisë kombëtare të Kosovës.
“Ky aktivitet përpiqet të dobësojë dhe komprometojë institucionet e shtetit, të shkaktojë dëme ekonomike, të nxisë konflikte të brendshme dhe veprime të tjera, që minojnë funksionimin normal të shtetit dhe krijojnë perceptimin e një shteti të dështuar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Po në të njëjtën frymë, Burim Ramadani, ish-kryeinspektor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, paralajmëron se inteligjenca serbe nuk ndalet për asnjë moment në përpjekjet për të destabilizuar Kosovën nga brenda.
Sipas tij, ajo përdor çdo mundësi për të minuar themelet e shtetit dhe të demokracisë.