Shefja e diplomacisë shqiptare, Elisa Spiropali, në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë pas takimit që ka pasur me homologun e saj kosovar, Glauk Konjufca, ka folur edhe për gjyqin që po mbahet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Spiropali ka thënë se Shqipëria respekton drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj, por e njëjta duhet të jetë e paanshme dhe s’mund të ecë me dy standarde e që të vendosë viktimën e agresorin në të njëjtin plan ligjor, moral e historik
“Proceset në Hagë janë një moment i rëndësishëm. Ne respektojmë drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj. Por ajo duhet të jetë e paanshme dhe e shkëputshme nga çdo lexim kolektiv. S’mund të ecë me dy standarde të dyfishta, s’mundet të prodhojë perceptimin që viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan ligjor, moral e historik. Lufta e Kosovës s’ishte luftë për pushtet, ishte luftë për mbijetesë dhe liri pas një periudhe të gjatë terrori ndaj popullsisë civile”, ka thënë Spiropali.
“Çdo proces që lidhet me periudhën e luftës duhet të zhvillohet me vetëdije të plotë për kontekstin, dispropocrionin e forcës dhe realitetin e krimeve ndaj popullsisë civile”, ka shtuar ajo.
