SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë katër persona, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit me inicialet R.D., ngjarje e regjistruar më 8 korrik 2025.
Të pandehurit janë Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Sipas SPAK, ndaj tyre janë ngritur akuzat për “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet rezulton se katër të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të koordinuar për të lokalizuar, rrëmbyer dhe mbajtur peng R.D.
SPAK thotë se, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, të dhënave GPS të automjeteve të marra me qira, tabulateve telefonike dhe provave të tjera, është rindërtuar lëvizja e autorëve në zonën e Burrelit dhe në aksin Klos–Zenisht.
Sipas hetimit, pranë “Urës së Matit”, R.D. është pikasur duke udhëtuar me automjetin e tij tip Benz. Ai është ndjekur nga një Hyundai Santa Fe, ku ndodheshin Petrit Hoxha dhe Kristë Bushgjokaj. Këta, sipas SPAK, kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër, tip Range Rover.
