Sot, më 30 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbyll afatin për aplikim online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të 7 qershorit dhe aktiviteteve të tjera pas ditës së zgjedhjeve.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili për RTKlive ka treguar se kush mund të aplikojë për t’u akredituar si vëzhgues.
“Deri në përfundim të ditës së sotme, e shtunë, 30 maj 2026, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.
Elezi tha se edhe në këto zgjedhje KQZ ka paraparë një program të veçantë për vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, që përfaqësojnë institucione që merren me organizimin e zgjedhjeve dhe organizata të specializuara në këtë fushë.
“Programi për vëzhguesit ndërkombëtarë ka për qëllim të prezantojë sistemin zgjedhor të Republikës së Kosovës, kornizën ligjore dhe administrimin e zgjedhjeve. Vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët përfaqësojnë institucione që merren me organizimin e zgjedhjeve në vendet e tyre dhe organizata të specializuara në fushën e zgjedhjeve, do të kenë mundësi që të përcjellin nga afër aktivitete të ndryshme, duke filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore, hapjen e vendvotimeve dhe votimin në komuna të ndryshme dhe procesin e numërimit të fletëvotimeve”, tha Elezi.
Sipas tij, në kuadër të këtij programi, vëzhguesve do t’u mundësohen vizita institucionale dhe aktivitete me karakter kulturor, për njohjen e vendit.
