I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka deklaruar se dialogu i Brukselit “nuk ka vdekur” dhe se procesi po vazhdon, duke sjellë edhe rezultate konkrete.
Në një intervistë për të përditshmen serbe Danas, Sorensen ka thënë se ndër rezultatet e fundit të dialogut është përparimi lidhur me personat e zhdukur, si dhe disa marrëveshje praktike që, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Dialogu vazhdon dhe ka dhënë rezultate konkrete, përfshirë përparimin e fundit në lidhje me personat e zhdukur dhe marrëveshjet praktike që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Sorensen.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2023 dhe Aneksit të saj të Ohrit vazhdon të jetë i pamjaftueshëm.
“Zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2023 është ende i pamjaftueshëm. Të dyja palët duhet të përshpejtojnë përmbushjen e obligimeve të tyre. Nuk ka alternativë ndaj procesit të normalizimit”, ka thënë ai.
I pyetur se sa po e vështirëson punën e tij kriza institucionale në Prishtinë, Sorensen ka shmangur komentimin e politikës së brendshme të Kosovës, por ka theksuar se institucionet funksionale janë të rëndësishme për zbatimin e marrëveshjeve.
“Institucionet plotësisht funksionale, natyrisht, e lehtësojnë marrjen e vendimeve dhe zbatimin. Në të njëjtën kohë, obligimet e marra në dialogun për normalizimin mbeten të vlefshme pavarësisht cikleve zgjedhore apo politike”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, BE-ja do të vazhdojë të ndërmjetësojë procesin dhe të lehtësojë zbatimin e obligimeve nga të dyja palët.
Duke folur për thirrjen e tij ndaj Prishtinës që të nisë negociatat për “marrëveshjet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb”, Sorensen ka thënë se kjo nuk është një kërkesë e re.
“Kjo nuk është diçka e re. Është një obligim i kahershëm dhe një obligim i përfshirë në Aneksin e zbatimit të dakorduar në Ohër në mars të vitit 2023”, ka thënë ai.
Sorensen ka theksuar se BE-ja pret nga të dyja palët zbatimin e plotë të obligimeve të përcaktuara në marrëveshjen e vitit 2023 dhe aneksin e saj.
“Zhvillimet politike apo zgjedhore nuk i ndryshojnë këto obligime”, ka deklaruar ndërmjetësi evropian.
Në lidhje me çështjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, Sorensen ka thënë se BE-ja e ka mirëpritur tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serbë, ndërsa ka shprehur shqetësim për vendimet e mëvonshme që kanë ndikuar në këtë proces.
“BE-ja vazhdon të theksojë rëndësinë e sundimit të ligjit dhe të një sistemi gjyqësor që pasqyron karakterin multietnik të Kosovës”, ka thënë ai.
