Partitë kryesore politike në Kosovë ende nuk kanë bërë ndonjë lëvizje drejt arritjes së një marrëveshjeje të mundshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pavarësisht se ka një javë që po rrjedh afati rreth njëmujor i vendosur nga gjykata më e lartë e vendit për këtë çështje.
Javën e kaluar, GjykataKushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill dhe ligjvënësit kanë tani kohë deri më 28 prill për ta emëruar pasuesin e saj.
Megjithatë, që nga nxjerrja e aktgjykimit për këtë afat, kanë kaluar shtatë ditë, e veprime në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje apo arritjes së një marrëveshjeje për presidentin nuk janë parë në publik.
Burime të Radios Evropa e Lirë (REL) brenda dy partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), konfirmuan se ende nuk kanë pranuar ftesë për takim nga kryeministri Albin Kurti, kryetari i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Në PDK thanë se janë duke organizuar mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe se në këtë organ “do të përcaktohen qëndrimet zyrtare të partisë në raport me zhvillimet politike në vend”.
“Pas këtij procesi të brendshëm, PDK-ja do të dal me një qëndrim të qartë dhe të unifikuar për hapat e mëtejmë”, tha një zyrtar nga kjo parti.
Dy ditë më parë, kryeministri Kurti paralajmëroi se do t’iu dërgojë ftesa liderëve të partive politike, por nuk tregoi se kur.
Ai shtoi se do ta bënte këtë pas “konsultimeve të brendshme”, pa dhënë më shumë hollësi.
“Sa është e rëndësishme që ta trajtojmë me urgjencë është e rëndësishme edhe që të kemi edhe sukses. Sepse, në fund të fundit, nuk do të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që e arrijmë”, theksoi Kurti më 30 mars.
Politologu Dritëro Arifi vlerëson për REL-in se Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i tërheqë dy kandidatët e propozuar për president, Glauk Konjufcën e Fatmire Mullhaxha-Kollçakun, që të krijojë hapësirë për diskutime me partitë e tjera.
“Esenca është a do të dërgojnë sinjale paraprake, siç thashë me largimin e atyre kandidatëve. Ata duhet ‘të japin dorëheqje’ teknikisht, që krijohet hapësirë për negociata më serioze”, thekson Arifi, duke shtuar se kësisoj diskutimet do të mund të zhvilloheshin në frymë kompromisi.
Zgjedhja e presidentit të ri dështoi në fillim të muajit të kaluar pikërisht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive.
