Sindikata e FSPE Elektrokosova ka shprehur shqetësim të thellë pas deklaratave të fundit të bëra nga Visar Azemi i cilësuar ato si të dëmshme për punën dhe sigurinë e punëtorëve në terren.
Në reagimin zyrtar thuhet se ndërrimi i njehsorëve elektrikë, realizimi i lidhjeve të reja, si dhe shkyçjet e kyçjet dhe leximi i rregullt i matësve janë detyra të përditshme dhe ligjore të punëtorëve të KEDS të cilat kryhen sipas planeve operative dhe standardeve profesionale.
Reagimi:
Reagim i Sindikatës FSPE Elektrokosova
Sindikata e FSPE Elektrokosova shpreh shqetësimin e thellë lidhur me deklaratat e fundit të bëra nga z.V. Azemi të cilat prekin drejtpërdrejt punën dhe integritetin e punëtorëve të KEDS-it.
Theksojmë qartë se ndërrimi i njehsorëve elektrikë, realizimi i lidhjeve të reja, shkyçjet dhe kyqjet, si dhe leximi i rregullt i matësve elektrik janë detyra të përditshme dhe ligjore të punëtorëve tanë, të cilat kryhen sipas planeve operative dhe standardeve profesionale.
Deklarata të tilla të pabazuara krijojnë perceptim të gabuar në opinionin publik dhe, për më tepër rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë dhe jetën e punëtorëve tanë në teren. Në raste të tilla qytetarët mund të pengojnë ose të reagojnë ndaj ekipeve tona, duke i ekspozuar ata ndaj rrezikut gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Punëtorët tanë janë profesionistë të trajnuar, të përkushtuar që çdo ditë punojnë në shërbim të qytetarëve për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
I bëjmë thirrje të gjithë akterëve publikë që të tregojnë përgjegjësi në deklarimet e tyre publike dhe të mos dëmtojnë imazhin dhe sigurinë e punëtorëve që kryejnë punë të përditshme dhe të ndershme në teren.