Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e paditëses Shyhrete Berisha dhe atë të të paditurit Xhelal Berisha, ndërkaq ka vërtetuar aktgjykmin e Gjykatës Themelore në Prizren- Dega në Suharekë, me të cilin i ishte njohur e drejta e pronësisë në 1/2 e pjesës së shtëpisë.
Gjykata në Suharekë përmes vendimit të 12 gushtit 2022 kishte aprovuar pjesërisht padinë e Berishës, duke vërtetuar se ajo në bazë të kontributit ëshë bashkëpronare me 1/2 në shtëpinë e banimit të ndërtuar në vendin e quajtur “Pojata” në Suharekë. Kurse, i padituri si kundërvlerë për 1/2 e bashkëpronësisë që i është njohur Berishës, detyrohej t’ia kompensojë asaj në mënyrë solidare shumën prej 130,800,58 euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjithashtu, me vendimin e Themelores i ishte refuzuar pjesa tjetër e kërkesëpadisë paditëses Berisha, përmes së cilës kishte kërkuar “të vërtetohet se është bashkëpronare me 1/9 pjesë ideale në bashkëpronësi me të paditurit Arben dhe Xhelal Berisha, secili me nga 1/9 pjesë ideale të ngastrave 953-0, 957-0, 059-, 1883-8, 2742-2 dhe që është pronare me 1/6 pjesë ideale të ngastrës në vendin e quajtur “Pojata”- për pjesën që është evidentuar në emër të Xhelal Berishës, dhe të gjitha në Zonën Kadastrale në Suharekë, e cila pjesë i ka takuar Berishës dhe bashkëshortit të saj pas ndarjes së pasurisë së përbashkët familjare”. Po ashtu, kishte kërkuar të obligohen të paditurit t’ia paguajnë shpenzimet e procedurës në lartësi prej 6 mijë e 558 euro.
Kundër vendimit të Themelores, ankesë ka parashtruar i autorizuri i paditëses Shyhrete Berisha, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe të vërtetojë se paditësja ëshë pronare e 1/2 pjesë ideale e shtëpisë së banimit në ngastrën kadastrale që është shqyrtim i këtij kontesti.
Po ashtu, pala paditëse kishte kërkuar me ankesë që të vërtetohet se Berisha është bashkëpronare me 1/9 të pjesës ideale në bashkëpronësi me të paditurit Xhelal dhe Arben Berisha- secili me nga 1/9 të pjesës ideale me ngastrat që janë objekt i kontestit, si dhe kërkoi shpenzimet e procedurës.
Gjithashtu, ankesë kishte parashtruar edhe e autorizuara e të paditurit të dytë Xhelal Berisha, avokatja Shpresa Berisha, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Pala e paditur kishte kërkuar që të hudhet poshtë me aktvendim si e palejuar ose aktgjykimi i atakuar të ndryshohet në pikën I, duke refuzuar kërkesëpadinë apo të prishet aktgjykimi për atë pikë dhe të kthehet në rigjykim. Ndërkaq, për pikën II, kërkoi të vërtetohet aktgjykimi.
Përgjigje në ankesën e palës paditëse kishte parashtruar gjithashtu pala e paditur (Xhelal Berisha), duke propozuar të hudhet ankesa e paditëses si e palejueshme ose ta refuzojë atë si të pathemeltë.
Gjykata e Apelit konstatoi se ankesat janë të pathemelta. Sipas kësaj Gjykate, qëndrimi dhe përfundimi i shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi aktgjykimi nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë.
Po ashtu, Apeli gjeti se vendimi i Themelores nuk është i përfshirë as në shkelje të tjera të dispozitave të procedurës kontestimore, të cilat i ka pretenduar pala ankuese në ankesë.
Sipas Apelit, Themelorja ka vlerësuar provat dhe dëshmitë e dëshmitarëve në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar.
“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në përputhje të plotë me arsyet e dhëna, ku arsyetimi i dhënë është në përputhje me dispozitën e nenit 160, paragrafi 4 i LPK, për faktin se gjykata e shkallës së parë del se ka dhënë arsye të mjaftueshme për faktet e çështjes, duke pas parasysh edhe rastin që është kthyer në rigjykim, si dhe për provat të cilat i ka shfrytëzuar për vërtetimin e fakteve vendimtare si dhe për vlerësimin e tyre”, thuhet në vendim.
