Në 27-vjetorin e Betejës së Koshares, një nga përballjet më të lavdishme të luftës së UÇK-së, Shukrije Ramadani, bashkëshortja e komandantit të Brigadës 138, Agim Ramadani rikujton me krenari dhe mall bashkëshortin e saj, i rënë për idealin e lirisë.
Ajo sot si një grua e një heroi ka kritika për partitë politike duke thënë se po vendosin para interesit të shtetit interesat e tyre të vogla.
Për këtë ajo bënë thirrje që të mos ruhet pushteti, por shteti pasi, siç u shpreh, shteti është i përhershëm e pushteti i përkohshëm.
“Këto për neve dëshmorëve dhe familjarëve janë shumë të dhimbshme, ngase i shohim si interesa meskine shumë të ulëta se është interes me i madh të ruajmë këtë shtet mbi gjakun e më të mirëve tanë. Duhet t’i lëmë interesat e vogla anash, të shikojmë interesin e madh, mos ta ruajmë pushtetin, por ta ruajmë shtetin. Shteti është i përhershëm, pushteti është i përkohshëm. Çdo herë andaj le ta shohin si të përkohshëm dhe le ta shohin shtetin si të përhershëm. Dhe e di janë nga vota jonë këta njerëz, por shpresoj vërtet t’i binden votës dhe dashurisë sonë aq sa i deshëm ne, të na duan edhe ata. Shumë shpresoj në këtë ngase një dashuri është më e madhe: atdheu dhe shteti ynë”, tha ajo.
Duke folur për dashurinë e saj për komandantin,Agim Ramadani, i njohur me nofkën Katana, bashkëshortja e tij për KosovaPress rrrëfen se çdo ditë tash e 27 vjet nga rënia e tij ka qenë e vështirë dhe e tillë do të jetë deri në momentin kur të vdes.
Por, Shukrije Ramadani shpreson që do të lartësohen idealet e të rënëve për liri, pasi, sipas saj, vetëm të bashkuar mund të fitojmë e assesi duke sharë njëri-tjetrin.
