Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare të sigurisë, Ardian Shtuni, ka komentuar sot çështjen e projektit amerikan të gazit dhe qëndrimin e institucioneve të Kosovës ndaj kësaj iniciative. Shtuni tha se hezitimi i Qeverisë së Kosovës ndaj projekteve të tilla nuk është i ri, duke kujtuar një ofertë të mëhershme nga MCC.
“Më duket që është një qasje e vazhdueshme nga qeveria e z.Kurti. E mbaj mend që prej vitit 2021 ka qenë një ofertë nga Millennium Challenge Corporation (MCC), u ofruan, nëse nuk gaboj, rreth 200 milionë dollarë grante, pikërisht për një projekt të ngjashëm dhe prapë ishte i njëjti hezitim dhe nuk u bë asgjë me ato para dhe me atë mundësi. Këtu po flasim për një mundësi strategjike për t’u afruar edhe më tepër me aleatin dhe partnerin strategjik që janë Shtetet e Bashkuara”, u shpreh ai në Klan Kosova.
Ai tha se nuk arrin të kuptojë arsyet e hezitimit ndaj një projekti që, sipas tij, është me rëndësi të madhe për Kosovën.
“Unë realisht vazhdoj të mos arrij ta kuptoj hezitimin që po tregohet ndaj një projekti i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një vend nevojtar si Kosova. Nuk mund ta justifikoj dhe ta kuptoj ose ta shpjegoj në një mënyrë objektive këtë lloj llastimi, do të thoja. Por më duket se është më shumë sesa llastim, sepse llastimi ka të bëjë me diçka më sipërfaqësore, kjo mua më duket sikur është diçka më politike, sepse nuk është diçka e izoluar, nuk ndodhi vetëm një here. kjo po ndodh në mënyrë të vazhdueshme”, deklaroi ai.
Sipas tij, përfitimet nga ky projekt janë të shumta dhe shtrihen përtej aspektit ekonomik.
“Unë i shikoj të mirat dhe nuk i shikoj të këqijat. I shikoj të gjitha të mirat që sjell një bashkim me këtë lloj projekti. Aprovimi i këtij projekti do të sillte të mira ekonomike, por edhe strategjike në planin afatgjatë, si për sigurinë kombëtare të Kosovës ashtu edhe për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara”.
