Gratë lehona nuk i kanë marrë shtesat për muajt janar e shkurt, në lartësi të pagës minimale prej 425 eurosh.
Dy javë pas formimit të Qeverisë, lehonave shtesat e shkurtit u kanë dalë në vlerë të 325 eurove, ndonëse pagesa mujore në vlerë të pagës minimale ka qenë premtim në programin qeverisës të Vetëvendosjes.
Përmbushjen e këtij zotimi, që në javën e parë pas marrjes së mandatit, e pati premtuar kryeministri, Albin Kurti, në Kuvend para se të votohej kabineti qeveritar në tetor.
Deri tash, kur është miratuar edhe buxheti për 2026-n, Qeveria nuk ka marrë vendim për rritjen e këtyre shtesave.
Në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare kanë thënë se rritja do të bëhet me vendim të Qeverisë, porse nuk kanë treguar se kur do të ndodhë.
“Lidhur me pyetjen e parashtruar rreth lartësisë dhe shumës së përfitimeve të shtesave për lehona në vlerën e pagës minimale prej 425.00 eurosh ju njoftojmë se për çdo rritje të shtesave për lehona apo përfitimeve të tjera do të rregullohet me vendim të Qeverisë dhe Ministrisë, në kuadër të të cilave vendime do të përcaktohet edhe mënyra e zbatimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Lehona Mirjeta Hoxha është ankuar se nuk është materializuar premtimi i Qeverisë për rritjen e kësaj pagese aq sa paga minimale.
