Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se marrëveshja në fushën e mbrojtjes mes shtetit të tij, Kosovës dhe Kroacisë nuk është kundër askujt, as ndaj Serbisë, të cilën tha se e ka ftuar që t’i bashkohet.
Kjo deklaratë vjen pasi ai u pyet për të komentuar deklaratat e bëra më herët nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se kjo marrëveshje – e arritur në mars të vitit 2025 – është kundër serbëve, dhe këto shtete janë pjesë e një “aleance sulmuese”.
Edhe kur u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, Serbia kishte reaguar ashpër, duke e cilësuar si një nismë kundër saj.
Vengu tha se ka vërejtur që herë pas here “ka një sens paniku” në deklaratat zyrtare nga Serbia për këtë temë.
“Ajo që mund t’iu them është që kjo është një marrëveshje trepalëshe e cila nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë i pari që kam shprehur ftesën pse jo që në qoftë se Serbia e gjykon që rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë pse jo edhe Serbia t’i bashkëngjitet kësaj iniciative. Ua merr mendja që nuk kam marr përgjigje për sa i përket kësaj ftese”, tha ai.
Vengu, në një konferencë për media më 26 janar, tha se Shqipëria dhe Kosova kanë filluar “në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik-arsimor, por edhe të prodhimit ushtarak, të bashkëpunojnë”.
Sipas tij, me Prishtinën, Tirana ka pajtim s ai përket prodhimit të mjeteve të blinduara, pasi që, vlerësoi ai, të dy shtetet i shohin njësojë kërcënimet dhe rreziqet që i kanosen rajonit.
“E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, kanë nevojë të marrin leje për saj i përket kësaj pjese. E treta, mirëpresim edhe vende të tjera të na bashkohen. Pra, është një bashkëpunim dhe partneritet i hapur. Shumëkush e quan aleancë, shumëkush marrëveshje të mbrojtjes. Nuk jemi në situata të garancive të mbrojtjes”, tha Vengu.
