Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka dalë me sqarime pas reagimeve që ka nxitur lajmi për mundësinë e hapjes së konsullatës shqiptare në Luginë të Preshevës dhe asaj të Serbisë në Shkodër.
Sipas kryediplomatit shqiptar, interes kryesor i Shqipërisë mbetet hapja e një Konsullate të Përgjithshme shqiptare në Luginën e Preshevës.
Ai ka thënë se Shqipëria ka kërkuar prej kohësh krijimin e një përfaqësie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, ndërsa sipas tij, Serbia gjithashtu ka paraqitur kërkesën e saj për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër.
Hoxha ka thënë se se çdo hap do të ndërmerret vetëm pasi të ketë dakordësi mes palëve për të gjitha aspektet e procesit.
“Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të na mundësojë të jemi më pranë qytetarëve shqiptarë, t’i mbështesim më drejtpërdrejt dhe të mbrojmë interesat e tyre legjitime,” ka shkruar Hoxha në një reagim në rrjetin social X.
