Shqipëria dhe Kroacia janë pajtuar për tha thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, përfshirë në kuadër të një deklarate trepalëshe mes tyre dhe Kosovës, në një kohë kur Serbia po i akuzon ato se gjoja po zhvillojnë aleancë të përbashkët ushtarake kundër saj.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, e zhvilloi një takim me homologun e vet kroat, Ivan Anushiq, të mërkurën në Zagreb, gjatë të cilit ata konfirmuan gatishmërinë e shteteve të tyre për zhvillimin e përbashkët të kapaciteteve dhe të industrisë ushtarake, njoftoi Ministria shqiptare.
Takimi i tyre vjen në të njëjtën ditë kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se Beogradi do të blejë armatim të ri pasi gjoja po përballet me trysni nga shtetet fqinje.
“Gjendja e sigurisë është disi më ndërlikuar sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, tha Vuçiq të mërkurën herët.
Kjo nuk është hera e parë që Vuçiq e ka bërë këtë pretendim, por ai asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi për ta mbështetur atë.
Vitin e kaluar, Kosova dhe Shqipëria e Kroacia – dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e NATO-s – nënshkruan marrëveshje për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë përmes një deklarate të përbashkët.
Që të tri vendet kanë thënë vazhdimisht se deklarata trepalëshe mes tyre nuk është e drejtuar kundër askujt.
Pretendimet e liderit serb u hodhën poshtë përsëri të mërkurën nga të dy ministrat, Nufi dhe Anushiq, të cilët e ritheksuan se synimi i vetëm i deklaratës trepalëshe është forcimi i stabilitetit në Evropën Juglindore dhe thellimi i marrëdhënieve miqësore mes tri vendeve.
Nufi tha pas takimit në kryeqytetin kroat se deklarata trepalëshe ka si qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
“Në këtë frymë, paqja mbetet themeli i çdo angazhimi tonë”, shkroi Nufi në Facebook.
