Një park i gjerë me lodra e gjelbërim, në qendrën e qytetit të Skenderajt, është bërë destinacion i çdo mbrëmjeje për Flora Rrecajn.
Brenda këtij parku, tash e disa vite qëndron busti i Idriz Rrecajt, babait të Florës, i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999.
Idriz Rrecaj, i dekoruar më 2019 si “Hero i Kosovës”, ishte veprimtar politik, i cili së bashku me 22 persona të tjerë shqiptarë, të njohur si “grupi i intelektualëve”, u zhduk në kohën kur lufta e forcave serbe në Kosovë ishte intensifikuar.
“Babai im nuk ka qenë vetëm prindi ynë… Ka qenë intelektual i shquar. Babai im ka qenë patriot. Ka qenë një person që krejt jetën e tij ia ka kushtuar këtij vendi dhe këtyre njerëzve”, thotë Flora Rrecaj për Radion Evropa e Lirë.
Në mungesë të një varri ku familja e mbetur prej tetë anëtarësh do të mund t’ia bënte nderimet, ky park në qytetin veriperëndimor të Kosovës është bërë i vetmi vend ku Flora Rrecaj mund ta ndiejë afërsinë e të atit dhe ta kujtojë atë.
Që nga zhdukja e Idriz Rrecajt, para 27 vjetësh, Flora dhe familjarët e tjerë e kërkuan atë nëpër lista të burgjeve në Serbi, dëshmi, informata të pakonfirmuara dhe vende ku herë pas here zbuloheshin mbetje mortore.
Tani, përveç bustit në Skenderaj, në jetën e Flora Rrecajt dhe familjes së saj ka hyrë edhe një vend tjetër: komuna veriore e Zubin Potokut, rreth 1 orë larg Skenderajt.
Në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë – fshatra të kësaj komune kosovare, të banuar me shumicë serbe – autoritetet së voni zbuluan varreza masive.
Dyshimet fillestare janë se mbetjet e gjetura mortore atje mund t’iu përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur, në mesin e të cilëve ishte edhe Idriz Rrecaj. Zhvarrimi i mbetjeve përfundoi më 21 gusht.
Por, emri i Kalludrës së Vogël nuk është shfaqur për herë të parë tani.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, një dëshmitar serb u kishte dhënë Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Policisë së Kosovës, qysh më 7 shkurt 2003, informata për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe për varrosjen e fshehtë të trupave të tyre në luginën e këtij fshati.
U deshën më shumë se dy dekada që kërkimet të çonin deri te varreza masive.
“Përveç atij që e ka një familjar, apo një të afërm të zhdukur, askush nuk mund ta përshkruajë këtë dhimbje, dëshpërim dhe pritje. Shumë shpesh jemi ndier të zhgënjyer, dhe të është dukur se askush nuk po bën asgjë. Nuk dua ta fajësoj askënd, apo t’ia drejtoj gishtin askujt, por e them me të drejtën e botës se ndoshta nuk është punuar sa duhet për këta njerëz”, shprehet Flora Rrecaj.
Por, shpresa se pritjes mund t’i vijë fundi, sipas saj, shoqërohet edhe me frikën se analizat e ADN-së mund të tregojnë se Idriz Rrecaj nuk është në mesin e mbetjeve të gjetura.
“Ta them troç, janë ndjenja të përziera. Janë ndjenjat e dhimbjes, ndjenjat e shpresës, por janë edhe ndjenjat e frikës. Pas kaq shumë vitesh, tash e ke një frikë prej përgjigjes. Por, megjithatë, është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme të dihet e vërteta”, thotë ajo.
Nga varri te emri: Sa gjatë mund të shkojë procesi i identifikimit?
Zbulimi dhe zhvarrosja e mbetjeve mortore, sipas institucioneve, janë vetëm hapat e parë në kuadër të një procesi që mund të zgjasë me muaj, e në rastet më të ndërlikuara edhe me vite.
Në rastin e Kalludrës së Vogël dhe Jabukës, institucionet kishin kërkuar për varrezë masive edhe më herët.
Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar kosovar për Persona të Zhdukur, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkimet e mëparshme u ishin afruar varrezave, por se nuk kishin qëlluar në lokacionin e saktë.
Sipas tij, informatat e siguruara nga Policia e Kosovës, si dhe arrestimi i tre personave të dyshuar për përfshirje në krim, çuan deri te tri lokacionet e sakta, ku u gjetën mbetjet mortore.
Por, edhe kur gjendet një varrezë masive, rruga nga eshtrat deri te një emër përfshin disa institucione, dhe disa faza hetimore e shkencore.
Fillimisht, Policia e siguron dhe e shenjëzon lokacionin. Informohet Prokuroria Speciale, e cila kërkon nga gjykata lejen për gërmime. Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore më pas i zhvarrosin dhe i ekzaminojnë mbetjet, dokumentojnë gjendjen e tyre dhe marrin mostra nga eshtrat.
