Një baba në Zvicër ka përshkruar se si një telefonatë nga vajza e tij në natën e Vitit të Ri e alarmoi atë dhe sesi ai u shpëtoi jetën 10 personash. 55-vjeçari, Paolo Campolo shpjegoi se mbërritja me vonesë e vajzës së tij 17-vjeçare për numërimin mbrapsht të Vitit të Ri në barin Le Constellation në Crans Montana rezultoi vendimtare në ndihmën e njerëzve të bllokuar në flakë.
Duke folur nga spitali në Sion, ku po trajtohet për probleme serioze të frymëmarrjes nga thithja e tymit, ai tha se vajza e tij Paolina, e cila ndjek një shkollë të mesme në Gjenevë, por ishte në shtëpi për festat, do të takonte të dashurin e saj në klubin e natës të famshëm dhe luksoz.
Ajo u vonua, pasi ndaloi në shtëpinë e babait të saj për t’a përshëndetur, për të ngitur një dolli së bashku dhe për të prerë panettone-n.
“Ishte faji ynë që u vonuam, ajo duhet të kishte qenë në klub deri në mesnatë. Sot mund ta them pa asnjë ekzagjerim, kjo vonesë i shpëtoi jetën”, tha ai.
Paolina nuk pati kohë të hynte në barin Le Constellation në Crans, ndryshe nga partneri i saj, i cili kishte hyrë tashmë në lokal.
Rreth orës 1:20 të mëngjesit, 17-vjeçarja telefonoi të atin duke kërkuar ndihmë. Ai, duke parë flakët nga shtëpia e tij, e cila është pak larg, vrapoi drejt lokalit Le Constellation me fikësen e tij të zjarrit.
Duke kujtuar atë agim, Paolo tha se flakët nuk ishin më aq të larta, por kishte tym të dendur e të zi kudo.
