Një shpërthim i fuqishëm tronditi mbrëmjen e së hënës Principatën e Monakos, duke lënë tre persona të plagosur dhe duke vënë në lëvizje autoritetet, të cilat po e hetojnë ngjarjen si një sulm të mundshëm terrorist.
Policia ka nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar menjëherë pas shpërthimit.
Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ndodhi në hyrje të Fondacionit Cuomo, në lagjen Moulins, dhe dyshohet se u shkaktua nga një bombë e vendosur në katin përdhes të një pallati. Dëshmitarët kanë deklaruar se pak çaste para shpërthimit një person kishte lënë disa çanta në vendngjarje, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që të jetë përdorur një mjet shpërthyes i improvizuar.
Nga shpërthimi mbetën të plagosur tre anëtarë të së njëjtës familje me shtetësi ukrainase: një burrë dhe një grua rreth moshës 50-60 vjeç, si dhe djali i tyre adoleshent. Dy të rriturit u transportuan në Spitalin Pasteur në Nicë, ndërsa i mituri u dërgua në Spitalin Pediatrik Lenval. Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
