AVONET ka shprehur shqetësimin për mungesën e ditarëve shkollorë në shkollat e Republikës së Kosovës, edhe në ditën e katërt pas fillimit të vitit të ri shkollor.
Sipas rrjetit të organizatave qeveritare, ditari shkollor përbën një nga mjetet bazë për evidentimin, dokumentimin dhe administrimin e procesit mësimor. Organizata vlerëson se fakti që mësimdhënësit, disa ditë pas fillimit të mësimit, nuk kanë në dispozicion këtë mjet bazë pune, është i papranueshëm dhe ngre pikëpyetje serioze mbi planifikimin dhe koordinimin institucional.
“Katër ditë pa një mjet bazë të punës janë tregues i një dështimi në planifikim dhe koordinim institucional”, thuhet në reagimin e AVONET-it.
Organizata ngre një sërë pyetjesh ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duke kërkuar të dijë pse ditarët nuk janë siguruar dhe shpërndarë para fillimit të procesit mësimor dhe kush mban përgjegjësi për këtë vonesë.

