Shkollat në Mramor dhe Grashticë janë bërë gati për fillimin e vitit të ri shkollor, pas përfundimit të punimeve në kuadër të investimeve për efiçiencë të energjisë.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, i cili ka njoftuar se në këto dy shkolla kanë përfunduar punimet në fasada, kulme dhe dritare.
Sipas Elshanit, këto investime synojnë përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërsa ndërhyrjet pritet t’u shërbejnë shkollave për shumë vite.
“Mramori dhe Grashtica po e marrin vëmendjen që e meritojnë. Në këto dy shkolla tashmë kanë përfunduar punimet për fasadën, kulmin dhe dritaret në kuadër të investimeve për efiçiencë të energjisë. Investime konkrete që përmirësojnë kushtet për nxënësit dhe mësimdhënësit dhe që u shërbejnë shkollave për shumë vite. Investimet, do të vazhdojnë në çdo lagje dhe në çdo fshat”, ka shkruar Elshani.