I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë për integrimin energjetik, Joshua Volz, thotë se Uashingtoni po e rrit angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor për të forcuar sigurinë energjetike të aleatëve dhe për të ulur varësinë e tyre nga furnizimet ruse.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se Rusia e ka përdorur vazhdimisht energjinë si mjet gjeopolitik dhe se ShBA-ja synon t’i zëvendësojë “molekulat ruse” me burime të tjera energjetike përmes zgjerimit të infrastrukturës në Evropën Juglindore.
Ai e përshkruan sigurinë energjetike si siguri kombëtare, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me rritjen ekonomike, investimet dhe stabilitetin politik në rajon.
Për Kosovën, Volz thotë se është një aleate shumë e rëndësishme dhe një vend “në nevojë urgjente për modernizimin” e sistemit energjetik.
“… kur kushtet e tregut të ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës për investimet energjetike amerikane, Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit mes industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë: Disa nisma të fundit – të mbështetura nga ShBA-ja në fushën e energjisë – janë shpallur ose diskutuar me Shqipërinë, Kroacinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi. Çfarë e ka nxitur këtë angazhim të ripërtërirë të ShBA-së në Ballkanin Perëndimor?
Joshua Volz: Së pari dhe mbi të gjitha, ne po përpiqemi të përdorim energjinë dhe burimet energjetike të ShBA-së për t’i mbështetur partnerët dhe aleatët tanë në mbarë botën, duke u dhënë atyre mundësi më të mira dhe qasje më të madhe në diversifikimin energjetik dhe sigurinë energjetike.
Prandaj, këto angazhime të ripërtërira, si në nivel marrëveshjesh ndërqeveritare, ashtu edhe në projekte infrastrukturore, mundësojnë që Shtetet e Bashkuara të ofrojnë burime energjetike të sigurta, të besueshme, të përballueshme dhe të qëndrueshme për partnerët dhe aleatët tanë, të cilët, më herët, kanë qenë tepër të varur nga burime dhe rrugë energjetike që kanë ndikuar negativisht në sigurinë energjetike të rajonit.
Ballkani Perëndimor është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e arkitekturës globale të energjisë dhe ka potencial të madh investimesh për bizneset dhe industrinë amerikane, por pa burime të sigurta, të besueshme dhe të përballueshme të energjisë, investimet në këto ekonomi nuk mund të rriten. Andaj, ne po i japim përparësi riangazhimit dhe rritjes së bashkëpunimit me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor.
“Molekulat ruse” dhe strategjia amerikane e energjisë
Radio Evropa e Lirë: Si lidhen këto projekte me përpjekjet globale për të zvogëluar varësinë nga energjia ruse, sidomos në rajone si Evropa Juglindore?
Joshua Volz: Ju nuk mund t’i kërkoni dikujt të zëvendësojë diçka me asgjë. Ne e kemi parë koston e madhe që Evropa ka paguar për varësinë e tepruar nga burimet ruse.
Rusia ka qenë vazhdimisht e gatshme për ta përdorur energjinë si armë dhe si mjet për presion politik. Ne nuk duam që partnerët dhe aleatët tanë të vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e opsioneve energjetike, që krijon varësia e madhe nga Moska.
Prandaj, ne po i ofrojmë burimet energjetike amerikane për të zëvendësuar molekulat ruse. Ky është një nga elementet më të rëndësishme të përputhjes strategjike mes presidentit [amerikan, Donald] Trump dhe presidentes [së Komisionet Evropian] Ursula von der Leyen. Të dy e duan eliminimin e energjisë ruse nga sistemi energjetik evropian deri në fund të vitit 2027. Ky është një objektiv shumë ambicioz dhe kërkon shumë punë.
Për këtë arsye, po shihni një fokus të madh nga nivelet më të larta të Qeverisë amerikane – nga Departamenti i Energjisë, Këshilli për Dominancën Energjetike Kombëtare, Departamenti i Shtetit dhe institucionet e tjera – që po punojnë në mënyrë të koordinuar për të hapur rrugë të reja tregtare dhe për t’i bërë ato rrugë ekonomikisht të qëndrueshme, të sigurta dhe të përballueshme, në mënyrë që energjia amerikane të mund të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë energjetike të Evropës.
Energjia si siguri kombëtare
Radio Evropa e Lirë: A kanë këto nisma të bëjnë kryesisht me sigurinë energjetike, apo pasqyrojnë edhe interesa më të gjera strategjike dhe gjeopolitike të SHBA-së në rajon?
Joshua Volz: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Siguria energjetike është siguri kombëtare. Ne nuk shohim asnjë dallim mes këtyre dy gjërave. Nëse nuk keni siguri energjetike, nuk keni asnjë lloj sigurie, sepse energjia prek dhe mbështet gjithçka. Ajo është themelore për rritjen e ekonomisë, për krijimin e vendeve të punës dhe për ndërtimin e buxheteve që mund të financojnë mbrojtjen dhe sigurinë e kufijve.
Pra, energjia është themeli i gjithçkaje që bëjmë në marrëdhëniet tona me partnerët dhe aleatët në mbarë botën. Siguria energjetike është vërtet baza e gjithë sigurisë dhe e gjithçkaje që rrjedh prej saj.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë përfitimesh konkrete mund të presin vendet e rajonit në pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshëm?
Joshua Volz: Unë mendoj se do të shihni një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte në këto vende që zgjedhin të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara për sigurinë dhe diversifikimin e tyre energjetik, sepse kompanitë e dinë që, nëse ShBA-ja ofron energji dhe është një element themelor i ekonomisë në këto juridiksione, atëherë kjo është diçka e besueshme.
Asnjëherë – as gjatë uraganeve, fatkeqësive natyrore, luftërave, konflikteve apo mbylljes së Ngushticës së Hormuzit – prodhuesit amerikanë nuk kanë dështuar t’i dërgojnë ngarkesat që i kanë pasur të kontraktuara.
Kjo besueshmëri dërgon një sinjal shumë të fortë tregu për këdo që bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara në fushën e energjisë, se këto burime do të jenë të garantuara dhe se investimet do të mbështeten nga një zinxhir furnizimi energjetik që është i qëndrueshëm, i përballueshëm dhe i sigurt.
Si rezultat, do të ketë një rritje të madhe të investimeve të huaja direkte në këto vende. Do të rritet gjithashtu aftësia për të bërë zgjedhje më të mira në sigurinë energjetike, për shkak të diversifikimit dhe marrëdhënieve më të afërta me industrinë amerikane. Këto lidhje ekonomike dhe tregtare do të forcohen jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe shumë përtej tij.
Siguria energjetike përballë tranzicionit të gjelbër
Radio Evropa e Lirë: Siç e përmendët edhe ju më herët, BE-ja do që rajoni ta zvogëlojë varësinë nga gazi rus, por, në të njëjtën kohë, po shtyn përpara edhe dekarbonizimin dhe ka ngritur shqetësime për transparencën dhe rregullat e tregut në disa projekte, përfshirë në Bosnje dhe Hercegovinë. Si i shihni ju këto shqetësime?
