Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit ka nxjerrë vendim për ndalimin e përdorimit të ujit të pijshëm nga sistemi publik i furnizimit për qëllime që nuk lidhen me nevojat themelore të konsumit njerëzor gjatë sezonit veror.
Sipas vendimit, ndalohet përdorimi i ujit të pijshëm për ujitjen e rrugëve, trotuareve dhe sipërfaqeve të tjera publike apo private, larjen e automjeteve, ujitjen e kopshteve, livadheve dhe tokave bujqësore, mbushjen e pishinave, si dhe për çdo përdorim tjetër që nuk ka për qëllim nevojat themelore të konsumit njerëzor.
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit obligon ofruesit e shërbimeve të ujit të monitorojnë në terren, të identifikojnë dhe evidentojnë rastet e keqpërdorimit të ujit të pijshëm, si dhe të ndërmarrin masa për reduktimin e furnizimit me ujë në rastet e shfrytëzimit që bie në kundërshtim me vendimin, njofton Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
